Pas përfundimit të takimeve të realizuara me anëtarët e SHGSHKK-së në institucionet korrektuese, kryetarja e SHGSHKK-së, znj. Valdete Ilazi, më datë 04.11.2026, zhvilloi një takim përmbledhës me përfaqësueset e institucioneve korrektuese.
Ky takim kishte për qëllim përmbledhjen dhe vlerësimin e të gjitha takimeve të zhvilluara me anëtarësinë, shqyrtimin e çështjeve të ngritura, diskutimin e kërkesave, nevojave dhe sfidave me të cilat përballen anëtaret gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në institucionet përkatëse.
Gjatë diskutimeve u shkëmbyen ide, mendime dhe propozime konkrete lidhur me mundësitë e avancimit të bashkëpunimit, forcimit të komunikimit institucional dhe ndërmarrjes së aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.
Kryetarja, znj. Valdete Ilazi, theksoi rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm me anëtarësinë, përfaqësimit dinjitoz të interesave të tyre dhe angazhimit të përbashkët për adresimin e çdo çështjeje që ndikon në mirëqenien dhe pozitën e punonjëseve në institucionet korrektuese.
SHGSHKK mbetet e përkushtuar që përmes dialogut, bashkëpunimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të jetë pranë çdo anëtareje, duke punuar për mbrojtjen e të drejtave, avancimin e pozitës dhe krijimin e kushteve sa më të mira për të gjitha anëtaret e saj.




